DURRËS, 30 maj 2013 – Një qeveri e majtë do të zgjidhte hallet e peshkatarëve durrsakë, kështu kreu i opozitës kryesore në Shqipëri Edi Rama nuk po i ndahet qytetit të të parëve të tij, stërgjyshit, gjyshit dhe babait të tij, ky i fundit ka qenë deputet këtu.
Mbështetja e industrisë së peshkimit do të jetë në fokus të qeverisë socialiste pas 23 qershorit, ndërsa hapat që do të ndërmerren për të ndryshuar situatën e vështirë të krijuar në vitet e fundit në këtë sektor, janë përcaktuar në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e shoqatave të sipërmarrjes së peshkimit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputetët e Durrësit, Klodiana Spahiu, Blendi Klosi, Ilir Beqja dhe kryebashkiaku i këtij qyteti, Vangjush Dako, ka zhvilluar më 29 maj 2013, një takim në portin e Durrësit me peshkatarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë port.
Peshkatarët janë shfaqur mjaft të irrituar nga mashtrimet e vazhdueshme të kryeministrit në ikje.
Sipas zyrës qendrore të PS, një grua e moshuar që punon ende në këtë sektor, është shprehur: “Thotë ai kam bërë, kam bërë, çfarë ka bërë, s’ka bërë asgjë. Vetëm ka shkatërruar Saliu, bile, duhet të japë llogari ku kanë shkuar fondet tona që kanë ardhur për peshkimin, ku kanë shkuar?! Duhet të japë patjetër llogari Berisha për këtë punë dhe për shumë gjëra”.
Në takimin e lirë në shkallët e kalatës së peshkimit, shumë peshkatarë, por edhe sipërmarrës të kësaj fushe, kanë nyjëtuar shqetësimet që lidhen me taksat, çmimin e papërballueshëm të naftës që rrit edhe kostot, kantierin për riparimin e anijeve dhe mungesën e një shkolle profesionale për të përgatitur peshkatarët e rinj.
Nga ana e tij kryetari, Edi Rama ka theksuar se përfaqësuesit e PS kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e peshkatarëve, duke pasqyruar në programin për një Rilindje Shqiptare të gjitha shqetësimet, por edhe zgjidhjen e problemeve të tyre kryesore.
Kështu, zgjidhja për çmimin e naftës, ndërtimi i portit të ri të peshkimit dhe kantierit për riparimin e anijeve, si dhe hapja e shkollës profesionale të peshkimit do të jenë masat e para që do të marrë qeveria pas 23 qershorit.
Kreu i opozitës u ka thënë të pranishmëve se bashkë me ta, do të mundësohet që nafta të jepet në port, të jetë pa akcizë, pa taksën e qarkullimit.
Rama, së fundi u ka premtuar peshkatarëve se brenda pak kohësh do të jetë sërish mes tyre, për të diskutuar dhe zgjidhur problemet që i shqetësojnë dhe jo duke pritur fushatën tjetër elektorale siç bën kundërshtari i tij politik.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





