Kryeministri i vendit, Edi Rama me anë të “Facebook”-ut, bëri lidhje live sot nga Porto-Romano ku po inspektonte inertet e depozituara aty të mbledhura nga rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit.
Rama thotë se për dekada të tëra kjo zonë është përdorur për hedhjen e plehrave dhe tanimë do të kthehet në një park të madh urban të qytetit bregdetar.
Kreu i qeverisë shton se ky projekt do të realizohet brenda 3 vitesh dhe se inertet brenda perimetrit të emergjencës do të përdoren për shërimin e kodrave të sakatuara nga guroret e Krujës.
Postimi i plotë:
Durrës, Porto Romano – Aty ku gërmadhat e tërmetit po kthehen në bazamentin e Parkut të Madh të qytetit, që më në fund do të mbyllë plagën e tmerrshme mjedisore të fushës gjysëmshekullore të plehrave.
Rama shoqërohej nga kryebashkiaku i përkohshëm i Durrësit Zhuljen Varfaj, zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda, deputetja Klodiana Spahiu etj.





