Kryeministri Edi Rama ka kritikuar shtetet se nuk po bëjnë sa duhet për të luftuar ndryshimet klimatike.
Në fjalën e tij në Samitin për Klimën COP29 që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit, Kryeministri është shprehur se nevojitet më shumë punë dhe angazhim, përtej fjalimeve të bukura nga liderët botërorë.
“Jeta vazhdon me zakonet e vjetra dhe me fjalimet tona, plot fjalë të bukura për luftën ndaj ndryshimeve klimatike që nuk ndryshojnë asgjë”, tha Rama, sipas “The Guardian”.
Kryeministri solli në vëmendje deklaratën e djeshme të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që theksoi se emetimet e karbonit janë rritur.
“Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e botës nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë si zakonisht? Çfarë do të bëjmë ne në këtë mbledhje nëse nuk ka vullnet të përbashkët politik në për të shkuar përtej fjalëve dhe për t’u bashkuar në veprime kuptimplota”, u shpreh Kryeministri Rama në fjalën e tij.
“The Guardian” e konsideron si dalje jashtë skenarit fjalimin e Kryeministrit shqiptar në Samitin për Klimën.