SHKODER, 09 mars 2013 – Partia Socialiste shpalosi sot programin e saj “Për një rilindje shqiptare” në qytetin e Shkodrës. Kryetari i saj, Edi Rama, gjatë prezantimit të programit, është shprehur i bindur për fitoren e 23 qershorit dhe i ka premtuar qytetarëve shkodranë se do vendosë drejtësinë në çdo institucion.

“Ju premtoj se si Kryeministër i ardhshëm dhe kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve, se pas katër vjetësh, Shkodra do t’i ngjajë një fotografie të Marubit dhe jo një posteri të PD-së. Gjyshja ime është motra e Zef Kolombit, thjesht duke nënvizuar se Kolombi ishte figura e tij qendrore e fëmijërisë. Këtu në Shkodër do të doja të flisja duke filluar nga ajo pyetja: A duam të jetojmë në një Shqipëri të gënjeshtërt apo të vërtetë? Duam të jetojmë në Shqipëri të trembur, ku shtetarët në vend që t’i përulen kampionit, i heqin vjehrrin nga puna? Duam të jetojmë në një Shqipëri, ku puna është lëmoshë për shërbimin ndaj partisë në pushtet?!”, u shpreh Rama.

Në nisje të konferencës për programin, u shfaq një video me rrugëzgjidhjet që do të japë PS-ja, ndërkohë që kreu socialist, Edi Rama, u shpreh se: ‘PS do ripërtërijë shoqërinë shqiptare”.. 

Më pas deputetët socialistë prezantuan ato që i quajtën “plagët e shoqërisë shqiptare” e që sipas tyre janë kriminaliteti gjithnjë në rritje, papunësia që tashmë ka kapur shifrën 1 milion të papunë dhe mungesa e transparencës së privatizimeve.