Shkolla 9-vjecare “Neim Babameto” në Durrës, e cila u rrënua nga tërmeti i 26 nëntorit, sot është kthyer në kantier ndërtimi për ta ringritur mbi themele të reja.
1 vit pas tërmetit shkatërrues, pikërisht në 26 nëntor, shkolla do të jetë gati për të pritur në mjediset e saj sipas standardeve europiane, 1064 nxënës.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako ndoqën sot në terren, punimet për shkollen e re.
Sipas drejtorisë së informacionit të Kryeministrisë, ky institucion do të ketë 30 klasa, 8 laboratorë, bibliotekë, ambiente për mësuesit, palestër si dhe salla polivalente ndërkohë që parashikohet që pas rifillimit të mësimit në këtë shkollë, procesi të kryet me një turn dhe jo më me dy, siç zhvillohej para tërmetit.
“Projekti i shkollave është një program masiv rindërtimi me standarde optimale të Bashkimit Europian, qoftë në rastet kur kemi financuar nga buxheti i shtetit direkt, qoftë në rastet e financimeve nga donatorët. Faktikisht janë shkolla që do të bëhen të reja, me laboratorë, me palestër, me bibliotekë, me gjithçka që i duhet një hapësire të arsimit para universitar për të qenë një hapësirë mësimi, një hapësirë argëtimi dhe një hapësire për komunitetin. Objektivi është që kjo shkollë këtu, që ishte shembulli më dramatik i dëmit që solli tërmeti i 26 nëntorit, në 26 nëntorin që vjen të hapë dyert e të jetë shembulli i transformimit të një krize të madhe në një mundësi për një transformim të madh. Kështu do të bëhet dhe me shtëpitë, kështu do bëhet dhe me banesat kolektive.” – u shpreh kryeministri Rama.





