TORINO – Kryetari i Partisë Socialiste, dhe Zëvendës/president i Internacionales Socialiste, Edi Rama ka marrë pjesë në konferencën “Rilindje për Europën: Paqe, prosperitet dhe progres”, të zhvilluar në Torino të Italisë. Në konferencë merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të së majtës Europiane, në një aksion politik për të mbështetur Pierluigi Bersanin, kandidatin e majtë për Kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në 24 shkurt në këtë vend.

Gjatë konferencës është diskutuar gjerësisht për forcimin e bashkëpunimit mes të majtës veçanërisht në këtë vit që është vit elektoral për disa vende europiane si dhe është theksuar se tashmë në realitetin europian fitorja e së majtës progresiste duket mjaft e sigurt. Kreu i PS, Edi Rama pas konferencës është shprehur se: “Ne ndjemi të përkëdhelur në sedër që Partia Socialiste Europiane ka përqafuar sloganin e një rilindje për Europën, ndërkohë që modestish ne kemi përqafuar idenë e një Rilindje Shqiptare.

Dhe sot ishte një kënaqësi e veçantë që në emër të Partisë Socialiste të Shqipërisë isha mes udhëheqësve të lartë të socializmit europian së bashku me disa kryeministra të partive socialiste e socialdemokrate të Europës, për të mbështetur kandidatin e rilindjes europiane për Italinë Pierluigi Bersanin. Është e ndjeshme kudo që era për Europën e të nesërmes po fryn majtas dhe ne sot ndamë një frymëzim europian me kryetarin e Parlamentit Europian Martin Schulz, me një sërë kryeministrash që sot përfaqësojnë aspiratat e të majtës socialiste dhe progresiste me kandidatin për kryeministër dhe kryeministrin e së shpejtshëm të Italisë, Pierluigi Bersani dhe plot të tjerë. U fol për Europën e nesërme, u fol për domosdoshmërinë e një bashkimi europian që është shumë më pranë qytetarëve, që është shumë më i angazhuar për rritjen, zhvillimin, solidaritetin mes qytetarëve të Europës së nesërme ku padyshim bëjnë pjesë edhe shqiptarët e Shqipërisë së sotme”.

Kryesocialisti ka folur edhe për bashkëpunimin që PS është duke forcuar me partnerët europianë në funksion jo vetëm të zgjedhjeve të 23 qershorit, por edhe më tej për ta çuar vendin drejt standardeve të Europës së bashkuar. “Këto momente të rëndësishme për të majtën europiane, janë edhe momente shumë të rëndësishme për të nesërmen pas 23 qershorit. Ne po vendosim urat e bashkëpunimit qysh sot me qeveri dhe me kryeministra që janë përfaqësues të një gjenerate të re politike dhe që me patjetër duan një Europë të re ku ata që janë më mbrapa dhe Shqipëria është më mbrapa, të mos ndjehen as të braktisur dhe as të vetëm në një udhëtim të përbashkët drejt shteteve të bashkuara të Europës”, ka theksuar kreu i PS, i cili ka komentuar edhe fjalimin e Bersanit në konferencë, e duke bërë një paralelizëm me Shqipërinë.

“Pjesa e fjalimit të Pierluigi Bersanit që lidhej me programin, me të nesërmen dhe me kundërshtarin e sotëm fare mirë mund të fotokopjohej për realitetin shqiptar, ku një personazh i cili prej vitesh ka qenë  në pushtet, bën sikur s’ka qenë aty dhe madje tashti së fundmi kopjon programin tonë të Rilindjes Shqiptare në mënyrë të paskrupullt dhe kthen në propozime të vetat ato që janë shkruar në atë program të miratuar qysh në 5 nëntorin e vitit 2011. Për ne nuk ka asnjë problem, rëndësi ka që të përfitojnë shqiptarët. Ndërkohë që padyshim shqiptarët do të përfitojnë nga Rilindja Shqiptare përmes votës për Partinë Socialiste dhe përmes një rotacioni politik, i cili do të sjellë transformimin e qeverisjes dhe të raporteve mes qeverisë dhe qytetarëve”, – ka thënë Rama.