TIRANE, 7 korrik 2013 – “Njerëzit më duan për të ndryshuar Shqipërinë”. Me këto fjalë i është drejtuar kryetari i PS-së njëherësh kryeministri i ardhshëm Edi Rama ditën e djeshme, vlonjatëve të mbledhur në Sheshin e Flamurit për të festuar fitoren e 23 qershorit.

Rama nga qyteti i Vlorës, i cili i dha edhe mandatin e parë të tij si deputet, theksoi se fitorja e zgjedhjeve është një sfidë për socialistët, të cilat sipas tij i kanë mundësitë për të fituar.

Nën petkun e kryeministrit të ardhshëm Rama nënvizoi se nëse në mandatin e ri socialistët nuk punojnë sic duhet atëherë rrezikojnë të ndëshkohen. Sipas Ramës qeverisja e demokratëve i ka bërë atyre 'një libër me gabime, nga i cili duhet të nxjerrin mësime për të mos përsëritur gabimet e kundërshtarit'.

Rama në përfundim falenderoi gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit që u përfshinë në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit, që rikthyen të majtën në pushtet duke theksuar se ‘njerëzit bëjnë revolucion të heshtur edhe me votë’.