– Kryeministri Edi Rama ka debatuar dje në Kuvend me tone shumë të ashpra me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro
Tiranë 25 shtator 2014 – Pak para se kreu i qeverisë të merrte fjalën për të diskutuar për buxhetin e vitit 2014, ai u ka dërguar paraprakisht mesazh ministrave të tij, ku ndër më të shqetësuarit janë parë ministrja Kumbaro, ministri Cani dhe Gjiknuri. Ndërsa kreu i qeverisë lëshonte akuza për paraardhësin e tij Berisha, pas tij shihej ministrja Kumbaro e cila fliste me duar e këmbë me ministren Mimi Kodheli.
Fill pas përfundimit të fjalës së Ramës, ministrja Kumbaro është afruar pranë tij, për ta sqaruar për "çështjen", për të cilën kryeministri i dërgoi mesazhin, e në debat e sipër është larguar për në vendin e saj, aty ku edhe ka shpërthyer në lotë. Kumbaro ndërsa fliste në telefon, nuk ka mundur t'i mbajë dot lotët, të cilët është munduar t'i fshehë duke ulur kokën dhe hequr syzet.
Por, gjatë kohës që Kumbaro ka qënë duke u larguar për në karrigen e saj, e indinjuar nga kritikat dhe ironitë e kryeministrit Rama, ky i fundit e ka vështruar ftohtë dhe me inat përgjatë gjithë rrugës që përshkroi Kumbaro për në vendin e saj. Ndërsa ministri i Financave është munduar të shpjegohet para kryeministrit, por ky i fundit ka shprehur habi ndaj argumenteve të cilat i ka parashtruar Cani, sa i ka kërkuar zv/kryeministrit Niko Peleshi t'i deshifrojë fjalët e ministrit Cani, duke i thënë: "Çfarë po thotë ky?".
Por, në këtë moment pranë tyre është pozicionuar ministri Arben Ahmetaj, i cili është mundur të justifikojë Canin. Por, mesa duket kryeministri Rama nuk është mjaftuar nga sqarimet e dhëna ngaministri Cani dhe Ahmetaj, pasi pas tij është shfaqur menjëherë ministri Gjiknuri, i cili është përpjekur për të shtensionuar situatën e krijuar.
/Agjencia e Lajmeve Dyrrah/





