Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e mbajtur sot në aeroportin e Kukësit për uljen e kompanisë së fluturimeve me kosto të ulët Wizz Air në këtë aeroport. Rama tha se u janë kursyer 120 mln euro qytetarëve shqiptarë dhe ka folur dhe për rritjen e çmimeve, duke theksuar se Shqipëria është vendi me barrën më të ulët të taksave në rajon.

“Drejtori i Wizz Air tha një fakt, domethënës dhe kuptimplotë, vetëm nga kjo kompani dhe nga oferta e saj, por në kontekstin e uljes tërësore të peshës së kostove të aeroportit të Tiranës u janë kursyer qytetarëve shqiptarë 120 mln euro dhe llogaria që ne bëjmë pak a shumë në total është dyfishi i kësaj shifre vetëm në bileta, për të gjithë ata që ankohen që ne vetëm rrisim, shtrenjtojmë, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Sot kemi një vend me barrën më të ulët të taksave në rajon për individët. Qeveria po bën një sforco të jashtëzakonshme për t’i mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, gjë që po ndodh në të gjitha vendet”, tha Rama.

Kryeministri foli dhe për investimet në 4 aeroporte.

“Paralelisht me Tiranën po investojmë në Vlorë. Do të fillojmë të investojmë dhe në Sarandë. Dhe me 4 destinacionet e para të përjavshme, 2 herë në javë, fillon një epokë e re për aeroportin e Kukësit dhe gjithë këtë zonë. Unë nuk do i ndahem deri kur të bëhet realitet parashikimi i studimit për qindra mijëra pasagjerë që do të hyjnë dhe dalin nga aeroporti i Kukësit. Do të jetë e afërt dita kur të shohim që aeroporti i Kukësit do të jetë një pikë referimi jo vetëm për banorët e Kukësit, Kosovës, apo pjesës së sipërme të Maqedonisë së Veriut, por më tepër se kaq, pasi oferta e Kukësit do të jetë një ofertë fituese dhe konkurruese”, deklaroi Rama.