Kryeministri Edi Rama pranoi nga takimi me Asamblenë Socialiste të Lezhës ditën e sotme (8 prill) se qeveria duhet të bëjë më shumë, por mohoi se korrupsioni është rritur, duke rrëzuar shifrat e hetimeve të skandaleve korruptive dhe duke i cilësuar ato si një luftë ndaj dukurisë që po bëhet vetëm ditët e sotme dhe që nuk ishte bërë më parë.
Ai e argumentoi këtë me faktin se ekonomia është rritur në të gjithë sektorët, ashtu sikurse investimet, pagat dhe turizmi, pasi sipas tij, nëse do të kishte korrupsion, këto nuk do të ndodhnin në Shqipëri.
Ai vuri në dukje se të tjerët përpiqen që t’i pengojnë në rrugën e integrimit të BE-së, që është një proces i vështirë dhe i gjatë sipas tij, por nënvizoi se projekti për familjen evropiane duhet të ishte “fiksimi i socialistëve”.
“E kemi marrë ekonominë e vendit me më pak se 10 mld euro prodhim të përgjithshëm, e kemi çuar në 25 mld, duam ta çojmë në 35 miliardë në 2030, është e bëshme. Isha te spitali, ishin shefat e pavioneve, i njoh nga syri demokratët, por aty ka ndryshuar gjithçka nga infrastruktura, kanë tani paga dinjitoze, indeksimin e pagës së përvitshëm, vështirësinë në punë. Por ma thanë edhe në sy se është bërë atraktiv spitali i Lezhës. Pagat në Shqipëri janë rritur dhe rriten vazhdimisht në sektorin privat. Po ashtu pensionet, e kemi ditur që ishte hallka më e dobët dhe patjetër se duke pasur mbështetje të madhe prej tyre e kemi ditur se duhet të bënim gjithçka për ta, po s’kemi pasur mundësi atëhere. Por ia dolëm ta bëjmë dhe pensionet janë futur në rrugën e përvitshme të parashikuara në buxhetet e mëtejshme, me dyfishim çdo janar”, tha kryeministri.
Dhe duke vijuar diskursin e tij me shifra ekonomike, ai tha se tashmë edhe çështja e pensioneve është zgjidhur, teksa nuk harroi as sektorin e turizmit si një argument ekonomik.
“Nuk kemi pasur mundësi t’i bëjmë më para rritjet e pensioneve, duke përfshirë edhe krijimin e një fondi të veçantë për ata që duan ta kenë pensionin më të lartë. Ku shteti jep kontribut së bashku me personin që kontribuon. Ku i kemi pasur këto, tani i kemi se është rritur ekonomia. E kemi marrë Shqipërinë me 2 mln turistë, edhe ne na llogarisnin si turist dhe investimet e huaja me 200 apo 300 mln në vit. Kemi arritur 12 milionë turistë dhe kemi kaluar 1,5 mld investime të huaja”, vijoi kreu i ekzekutivit.
Rama akuzoi edhe kundërshtarët politikë se bënin zhurmë të qëllimtë me shifrat e korrupsionit për ta dëmtuar vendin në rrugën e integrimit, por shtoi se këto nuk janë të vërteta dhe mbeten vetëm një zhurmë.
Ai i cilësoi kundërshtarët si “gjurmues që mbeten pas”.
“Të gjithë ata që na janë vënë përballë, në fakt përballë s’kemi njeri, ne i kemi mbrapa këta e na gjëmojnë nga pas e krijojnë zhurmë të madhe “korrupsioni, korrupsioni”. Unë nuk mund të them se kemi zhduk korrupsionin por mund të them diçka se kurrë më parë Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si tani dhe asnjëherë nuk ka pasur këto rezultate. Zhurma është e madhe, më e madhe edhe nga lufta, amplifikohet edhe nga rrugët e keqinformimit, por është edhe patjetër nga rezultati. Si mund të ketë rritje të pagave dhe rritje të korrupsionit në të njëjtën kohë, nuk ndodh kjo në vendet e tjera. Si mund të rriten pensionet dhe korrupsioni? Ai presupozon që i thith të ardhurat nga buxheti dhe i çon te xhepat e të tjerëve. Si mund të rritet korrupsioni dhe të rritet numri i garave publike, nuk shkojnë me njëra-tjetrën. Njeriu është ndërtuar në mënyrë të tillë se të keqen e harron dhe të mirën e do me çdo kusht. Por të kthehemi pas për dritat duhej të mbaje radhë, edhe certifikatën e lindjes e merrje me radhë, kurse sot i merr me telefon, si qenka rritje e korrupsionit kjo?”, tha kryeministri.
Kreu i mazhorancës foli edhe për investimet në Lezhë:
“Edhe projektet për Lezhën, zonën turistike, janë projekte që nuk mund të imagjinoheshin që të bëheshin ato investime në Lezhë. Kur të realizohen do e bëjmë Lezhën destinacion specifik evropian në kuptimin e plotë të fjalës. Evropian mund ta quajmë edhe sot Lezhën, edhe Durrësin, edhe kudo. Janë projekte dhe jo ëndrra, janë investime që ia vlen të luftohet dhe fitohet. Sepse do lënë gjurmë në historinë e qytetit dhe vendit”.
Rama e quajti një mundësi të mirë shansin që i ka ardhur vendit me integrimin në BE dhe që nuk duhej humbur, pasi më vonë historia nuk do ua falte.
Në fund ai tha se çështja e integrimit të vendit duhet të kthehet në një fiksim për ta.
“Na është dhënë mundësia që me duart tona ta marrim Shqipërinë dhe ta çojmë te dhoma e pritjes së BE dhe ta bëjmë anëtare të barabartë me familjen evropiane. Ashtu si historia do na e njohë nëse e realizojmë, ashtu s’do na e falë nëse nuk e arrijmë këtë. Jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë më shumë. Nuk do ndalemi së rrituri pagat, cilësinë e jetës dhe patjetër standardet e gjithë qyteteve tona dhe gjithë mundësitë për këdo që do të jetojë me punë. Na duhet vetëm që të jemi shumë të vendosur, shumë kompakt dhe mbi të gjitha të vetëdijshëm se ajo që kemi para është diçka e jashtëzakonshme dhe ne duhet ta realizojmë. Ky duhet të jetë fiksimi jonë, kështu që fiksim!”, përfundoi Rama.





