Kryeministri Edi Rama vijoi takimin e radhës elektoral në Librazhd.
Vijimin e qeverisjes lokale të Librazhdit nga socialistët, ia kanë besuar kandidaturës të Maringlen Dishës. Rama i cilësoi kundërshtarët si ‘aktorë të damkosur nga populli shqiptar’ dhe sipas tij s’ka më arsye për tju dhënë asnjë shans më 14 maj.
“Kemi hyrë në një kthesë historike. Rritja e pagës mesatare është shembulli më kuptimplotë i këtij transformimi. Kjo rritje pagash në sektorin publik do të shoqërohet edhe në atë privat. Nga rritja e kontributeve, do të mbështesim pensionistët. Nuk dua të flas për kundërshtarët, janë të gjithë për një mision që nuk ka lidhje me të ardhmen tuaj, ata janë për të kapur peng ku të munden bashkinë, nga ku mund të sulmojnë qeverinë. Ata nuk janë për punë, janë vetëm për sherr. Nuk ka asnjë bashki në Shqipëri të tregojnë se kanë bërë ndonjë gjë. Gjithmonë kanë kthyer mbrapa gjërat që janë arritur me punë dhe me mund.
Sot zgjedhja për kryetarët e bashkive është për t’i gjetur njeriun e duhur, jo njerëz që të mbushë autobusët për të shkuar për të luftuar me qeverinë në Tiranë. Aktorë të damkosur nga populli shqiptar me njerëz probleme s’ka më arsye për tju dhënë asnjë shans, zero shans. Jam i bindur që në Librazhd s’është nevoja për ta thënë këtë, por edhe pak të djathtë ju them 14 maji s’është për të ndarë në dy anë votën, është për të vendosur kë do të marrë ky popull në punë për t’i shërbyer 4 vjet.
Qyteti të vazhdojë të jetë i pastër, jo të rikthehen kazanët me plehra në ditë të tjera mes rrugës. Vajzat të kthehen mbrëmje vonë pa pasur frikë rrugëve të errëta, të japë shërbime në çerdhe në kopshte në shkolla, të prodhojë shpresë dhe të ardhme për ata që jetojnë me punë. Të rrisë të ardhurat ku njerëzit e punës meritojnë mbështetje, shpresë dhe të ardhme. Do t’i 4-fishojmë punët përpjekjet dhe arritjet. Jua hëngsha zemrën të gjithëve, shumë faleminderit, përpara me Mariglenin me PS, me të gjithë ju së bashku”, tha Rama nga Librazhdi.