Kryeministri Edi Rama ndodhet në Pragë, në Forumin e sigurisë GLOBSEC 2024, në Panelin e diskutimit me Kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen dhe Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, moderuar nga gazetari i njohur i Ali Aslan, ku ritheksoi se Rusia nuk do bëhet kurrë aleat i Shqipërisë.

Më tej shtoi se pavarësisht gjithçkaje, vendi ynë është besnik ndaj BE-së dhe do të jetë me të deri në fund.

“Ne jemi europianë, këtë nuk e vendos Brukseli! Ukraina është zgjerim, por Ballkani Perëndimor nuk është zgjerim, është praktikisht bashkim. Shërben për të kuptuar se nuk ka kuptim që të shkëputet nga organizmi sepse mund të bëhet burim infeksioni. Ne jemi në mënyrë kokëfortë të dashuruar me Europën dhe nuk pranojmë jo-në si përgjigjie. Do jemi me BE-në deri në fund, edhe kur të zhduket. Do t’i ftojmë të gjithë që ta rinisim nga Shqipëria dhe ta rindërtojmë.

Jemi besnikë dhe jo vetëm kaq, nuk ka shans të na ndryshojnë mendjen. Rajoni është një hapësirë ku Rusia ka shumë influencë, para se të jetë vonë duhen bërë ca gjëra ndryshe. Ka nisur plani i rritjes që është diçka e re në historinë e integrimit. Është e rëndësishme që të krijohen kushtet që pjesëtarët e Ballkanit Perëndimor të jenë më të integruar dhe pa qenë anëtarë. Sepse ça kuptimi ka të kemi mbledhje sëbashku, ça kuptimi ka mos të shkëmbejmë të njëjtat të dhëna?! Çfarëdo gjëje që do bëjnë, ne nuk do heqim dorë nga dashuria për ta!”, tha kryeministri.

Për tri ditë rresht, nga 30 gushti deri më 1 shtator dhjetëra udhëheqës do të diskutojnë çështjet kritike për sigurinë dhe mbrojtjen në këtë forum. Kreu i qeverisë pritet që në takimin me liderët evropianë të lobojë edhe në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe nisjen e shqyrtimit të kapitujve.