16 dhjetor 2013- “Prezantimi i programit të investimeve kapitale në bregdetin e Jugut”, mblodhi në Sarandë, së bashku me kryeministrin, ministra dhe drejtues vendorë, investitorë vendas e të huaj, në një diskutim të përbashkët për të ardhmen e bregdetit të Jugut.

Kryeministri Rama, pasi dëgjoi prezantimin tha se “Ky është programi i parë i ndërtuar, duke i kapërcyer kufijtë mes njësive vendore dhe duke e konsideruar zhvillimin e qëndrueshëm të një zone të tërë, që për qeverinë shqiptare është natyrshëm një zonë prioritare për zhvillimin ekonomik, jo vetëm të njerëzve që jetojnë në këtë zonë, por të mbarë vendit.”

Duke vlerësuar programin e hartuar në shumë aspekte të tij, kryeministri vuri në dukje se programi i ka të gjitha mundësitë që të bëhet ende me i plotë dhe më tërheqës për donatorët, por edhe për investitorët privatë. “Ajo çka mungon dhe që nuk është një punë e vështirë, është që të paraqitet nga njëra anë impakti i mundshëm që do të krijonin të gjitha ndërhyrjet dhe avantazhet e reja që do të lindnin nga këto ndërhyrje.” -u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama tha ndër të tjera se programi është një shembull shumë i mirë i ndërveprimit në të gjitha nivelet  e pushtetit, i cili do të sigurojë suksesin, duke e bërë jo thjesht program investimesh kapitale në bregdet, por edhe program të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, social dhe turistik të Bregdetit Jon.

Gjithashtu kryeministri Rama shprehu se  qeveria ka i ndërmarrë një aksion që nuk do të ndalet. Pastrimi i bregdetit të Vlorës dhe krijimi i kushteve për zhvilluar një projekt të standardeve më të mira të Mesdheut dhe për ta kthyer Vlorën qytet në një portë dinjitoze të Mesdheut për Shqipërinë dhe gjithë rajonin është vetëm një pjesë. Ndërkohë që aksioni do të zbresë deri në Butrint.