Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën zyrtare në Kosovë ku është pritur me ceremoni shtetërore nga homologu i tij Albin Kurti.

Pas këndimit të himneve të të dyja shteteve, dy kryeministrat u takuan me delegacionet përkatëse.

Por teksa dy kryeministrat mbajnë maskë në kuadër të masave anti-covid, Rama i ka thyer rregullat duke u dhënë dorën zyrtarëve kosovar. Një gabim të tillë nuk e bëri Kurti, i cili zgjodhi që t’i drejtojë grushtin zyrtarëve të delegacionit shqiptar.

Në vizitën e tij në Kosovë, Rama u shoqërua nga një pjesë e kabinetit të tij, Taulant Balla, Elisa Spiropali, Delina Ibrahimaj, Bledi Çuçi, Evis Kushi, Mirela Kumbaro, Elva Margariti dhe Eduard Shalsi.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, Rama do të takohet me liderë të partive opozitare. Kjo është vizita e parë zyrtare e Ramës si kryeministër që pas marrjes së mandatit të tretë qeverisës.