Kryeministri Edi Rama është njohur sot me planet e rindërtimit të Fushë-Krujës pas tërmetit të 26 nëntorit.
Rama i ka garantuar të gjitha familjet, të cilat kanë mbetur pa shtëpi se qeveria do të punojë që së shpejti edhe ata të futën në banesat e tyre, ndërsa premtoi një transformim të rëndësishëm urban të zonës së Fushë -Krujës me të gjitha qendrat social kulturore.
“Janë 221 familje që kanë nevojë për strehim dhe siç bëmë për Shijakun, Vorën, Thumanën, do ndajmë edhe planin zhvillimor të Fushë Krujës, duke i garantuar të gjithë ata që i ranë dy halle si tërmeti dhe virusi, që ne nuk kemi reshtur dhe nuk reshtim së punuari për ta. Në këto 10 hektarë truall, mes banesash kolektive dhje individuale dhe shërbimeve patjetër, besoj se do të bëjmë një transformim të rëndësishëm urban të zonës së Fushë -Krujës me të gjitha qendrat social kulturore”, tha Rama.
Më tej Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj premtoi fillimin e projekteve të detajuara të banesave private që në fund të korrikut të hapen kantiere për ndërtimin e tyre.
“Për të gjitha banesat kolektive duhet të bëjmë projektet e detajuara që në fund të korrikut të hapim të gjitha kantieret për banesat kolektive”, tha Ahmetaj.





