Kryeministri Edi Rama tha gjatë një videomesazhi në Facebook se duke filluar nga java e ardhshme do të lehtësohen disa masa të tjera për qytetarët.
Ai u shpreh se do të rritet orari për daljen në pazar, ndërkohë që do të hapen edhe rrugët ndërqytetase për taksitë.
Kreu i qeverisë tha se nga 4 maji do të lehtësohet akoma më shumë edhe lëvizja brenda qytetit.
“Javën e ardhshme do ta rrisim orarin e daljes në pazar. Do të hapim edhe rrugën ndërqytetëse për taksitë. Nga e hëna, 4 Maj do ta lehtësojmë shumë lëvizjen brenda qyteteve, qoftë në këmbë, makinë. Do të hapim edhe bllokun e tretë të bizneseve. Kjo do të ndihmojë ekonominë familjare. Edhe pak durim.
Hapja do të garantohet me rregulla dhe kushte sigurie. Bizneset duhet të sigurohet që ta marrin atë vërtetim në portalin e e-albania. Në fund të ditës këto leje, duhen për të garantuar shëndetin e gjithsecilit. Duhet dhe do të jemi kërkues ndaj jush, por secili prej jush duhet të jetë më kërkues nga vetja për të mbrojtur veten.
Deri në fillim të javës tjetër do të kemi një vendim për shkollat dhe universitetet. Risku nëse i hapim shkollat është shumë i madh.
Sot fola me kryeministrin e Kroacisë dhe jemi në kontakt me disa nga vendet që e kanë turizmin jetik. Akoma nuk dihet me siguri asgjë. Po falë edhe ndërveprimeve të tjera do ta kemi planin tonë për turizmin brenda Majit, duke parë gjithë ecurinë e pandemisë.
Sot ka shkuar në 52 mijë atyre që kanë përfituar pagën e luftës dhe deri të premten kryhen verifikimet e fundit, që mbyll transhin e parë të paketës së parë. Për transhet e tjera nuk do të ketë vonesa”, tha Rama.





