Kryeministri Edi Rama u tha sot familjarëve të Hekuran Dedës, Aleks Nikajt, Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, 4 protestuesve që mbetën të vrarë në protestën e 21 janarit, se ai nuk e kishte tradhtuar 21 janarin.
Rama deklaroi se “krimi shtetëror i 21 janarit, pushkatimi pa gjyq në bulevard i 4 burrave, hyjnë në ato raste përmes së cilave historia u ka mësuar popujve se drejtësia vonon, por nuk harron”. Kryeministri theksoi se një ditë ose një tjetër drejtësia do të bëjë drejtësi, edhe për vrasësit edhe për rivrasësit.
“Unë e di shumë mirë, fort mirë, se plot shqiptarë të ndershëm e të revoltuar prej pandëshkueshmërisë së kthyer në sistem, drejtojnë mbi mua gishtin e akuzës për zvarritjen tuaj sfilitëse, në kërkim të drejtësisë. Ka jo pak ndër ta, që shpirti i ardhur në majë të hundës nga marrja zvarrë e drejtësisë, prej një kaste të korruptuarish, lidhur në mish me thonjtë e interesave errëta të politikës e të krimit, më quajnë tradhtar të 21 janarit. Nuk kam asgjë me ta! Ua marr vesh mirë sëkëlldinë, kur shohin sesi përgjegjësit për atë masakër bilbilojnë çdo ditë në emër te popullit dhe pa pikën e turpit kërkojnë prej nesh për kancerin që përhapën në çdo sektor të jetës së vendit dhe për plagët sociale që i shkaktuan Shqipërisë. Është cinike dhe poshtëruese! E di shumë mirë! Por sot nuk jam kokulur përpara jush. Dhe nuk do të shkoj kokulur bashkë me ju, as para përmendoreve të shtrira në bulevard, pikërisht se nuk e kam tradhtuar 21 janarin. Kjo qeveri nuk e ka tradhtuar 21 janarin. Sepse kemi punuar çdo ditë me përkushtim atdhetar për reforma shtetndërtuese, për ta rilindur nga autorët e 21 janarit. Nuk kemi tradhtuar askënd që në protestë doli për një Shqipëri më të drejtë, për një qeveri që nuk e vret popullin nga dritaret e kryeministrisë me plumba luftarak, por i shërben atij me përkushtim e bindje të plotë”, u shpreh Rama.