Kryeministri Edi Rama në forumin për ndërlidhjen infrastrukturore Ballkani Perëndimor-BE, tha se nisma e liderëve të vendeve të rajonit “Open Balkan” apo “Ballkani i Hapur”, është një instrument për të zbatuar objektivat e Procesit të Berlinit.

Rama deklaroi se procesi i zgjerimit mund të kërkojë më shumë kohë kështu që sipas tij në rajon duhen veprime të përbashkëta.

“Unë vazhdoj të këmbëngul që permës Ballkanit të Hapur ne do të kemi një mekanizëm shtesë më efikas për të nxitur saktësisht kapacitete që ne kemi për të bërë më shumë në këtë drejtim. Investimet në ndërlidhje, kombinuar me përpjekjet e përbashkëta, për ta bërë rajonin tonë pa barriera sa më shpejt të jetë e mundur, është gjëja e duhur për tu bërë.

Ka diskutime mjaft konfuze për Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur. Për mua është shumë i qartë, Ballkani i Hapur është frymëzuar nga Procesi i Berlinit. Është një instrument i krijuar në rajon për të vendosur të gjitha përpjekjet nga rajoni, për të zbatuar objektivat e Procesit të Berlinit.”,- tha Rama.