Në takimin me kryetarët e bashkive, që kryeministri Edi Rama po zhvillon në qytetin e Pogradecit, nuk i ka kursyer lëvdatat për kryebashkiakun e Shijakut Elton Arbana.

Suksesin e kësaj bashkie, që Rama e cilësoi kampione përsa i përket menaxhimit të procesit të rindërtimit, kryeministri e shpjegoi me lidershipin që e drejton atë.

“Ne patëm një proces shumë të dhimbshëm dhe shumë të vështirë, shumë kompleks dhe shumë sfidues që ka vënë në vështirësi edhe vende shumë të zhvilluara sesa ne, procesin e rindërtimit pas tërmetit katastrofik. Bashkia më shembullore në të gjitha bashkitë, përfshirë edhe Tiranën, është Shijaku. Në çdo hap, një përgjigje e institucionit sikur të ishte një institucion perëndimor. Si ndodhi kjo? Mos vallë erdhën nga Gjermania apo Franca nënpunësit e bashkisë së Shijakut?

Bashkia e Shijakut nuk ka shkelur një afat në bërjen e dokumentave, në inventarizimin e të gjithë dëmeve, në dhënien e bonuseve, në qëndrimin pranë qytetarëve, në ndjekjen e punimeve, në të gjitha…

Shumica e atyre njerëzve që punojnë në bashkinë Shijak janë po ata që punonin edhe më përpara. Po çfarë ndryshoi në bashkinë e Shijakut, ndryshoi lidershipi. Bashkia e Shijakut nuk ka pasur absolutisht asnjë kujdes më të veçantë sesa plot bashki të tjera dhe ja ku është sot. Është bashki kampione”,- tha kryeministri Rama ndër të tjera në fjalën e tij.