DURRËS, 20 TETOR 2014– Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij, në partnershipin Shqipëri-Itali, ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shtuar se Shqipëria është e sigurt drejt rrugës së saj Europiane, ndose sipas tij, shqiptarëve i'u është mbyllur dera e Europës më shumë se kujtdo populli tjetër.
“Europianë të trembur ka deri në majat më të larta të politikës, por shqiptarë ballkanas shpresë-humbur nuk ka më as në fshatrat më të largët. Sot gjej rastin t’ju them se më është dashur t’ju përgojoj deri ditën që më në fund na e dhanë atë të shkretin status, pas shumë refuzimesh, numri i vërtetë nuk ka rëndësi, jemi refuzuar si askush tjetër më shumë se dy herë në kërkesën tonë për të marrë një status me vlerë aq të madhe morale për një vend si i yni”, tha Rama. Më tej ai e cilësoi ish-kryeministrit italian, Romano Prodi, si nxitësin e rrugës europiane të shqiptarëve. Rama ka folur edhe për incidentet e ndodhura në Beograd, ku sipas tij, dy shtetet, Shqipëria dhe Serbia, ishin gati të hynin në luftë, për një balonë elektrike siç ai e quan. “Flas për shtete që ndahen nga një balonë elektrike, për të cilin njëri kërcënon e tjetri e pagëzon si shpend mitik dhe të dyja janë gati të hyjnë në një luftë. Pa Europën e shpresës, lumenjtë e pafundëm të gjakut të derdhur në Ballkan nuk do kishin sjellë në këtë rajon vitin e parë të shpresës. As ngatërresa e përçartjes së huliganëve që vazhdoi me përçartjen e politikanëve, për të vazhduar me një komunikim mes dy kryeministrash që vendosën të takohen”, tha Rama duke shtuar ndërsa se pa këtë Europë shprese që të gjithë e duan, Ballkani është gati të plasë si fuçi baruti. Për sa i përket historisë së dronit, Rama tha se autori i tij nuk dihet ende kush është edhe pse në listën e heronjve të Ballkanit renditet edhe vëllai i tij. “Askush se njeh autorin e dronit, vëllait tim i ra rasti të hyjë në listën e heronjve të Ballkanit fatkeqësisht", theksoi Rama. Duke u ndalur tek vizita e tij në Beograd, kryeministri u shpreh se nga anulimi i saj më të humbur do të ishin shqiptarët. Sipas tij, nuk ka qenë Brukseli ai që e ka detyruar të mos e anulojë vizitën. “Anulimi i vizitës jo përgjigja e merituar, por ulje e pamerituar në nivelin e një lufte deklarative shterpë, abortim i procesit që nisi në Berlin. Anulimi cënonte rolin paqëtues e emancipues që shqiptarët kanë marrë në rajon, me një shkallë ku jo Serbia, por Shqipëria do ishte humbësja më e madhe. Kundërshtarët thonë që na ka imponuar Brukseli mos anulimin e vizitës. Brukseli a imponuar shumë gjëra por këtë jo, siç nuk na ka imponuar thirrjet E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Askush s’më ka marrë në telefon dhe të më thotë mos e anulo takimin me kryeministrin serb”, shtoi Rama.
/marrë nga Gazeta “Sot”/





