Ka përfunduar interpelanca mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit të PD Gazment Bardhi. Në mbyllje të fjalës së tij nga foltorja, Rama ironizoi demokratin sa i takon asaj që u diskutua si ‘ekspertizë e mbetjeve të rrezikshme’.
Teksa i kujtoi dhe çështjen në SPAK me vëllain e tij Olsi Ramën, kryeministri e tha me bindje se në zgjedhjet e 2025-ës do të marrë mandatin e katërt qeverisës.
“Nuk e di a u ndodh dhe ju e njëjta gjë, po mua më dual malli i të shkretit Lul, tutorit të mëparshëm të figurës që foli. Dhe besoj që të gjithë ata që e ndoqën e panë se ku është dallimi i madh mes nesh që flasim me fakte dhe këtyre që s’dijnë ça flasin. Këto mallra me këto emra nuk kategorizohen te mbetjet e rrezikshme. E dëgjuat reagimin e reaguesit të gjetur në konfuzionin e ekspertizës së tij, se unë ekspert nuk jam dhe për këtë arsye ul kokën të lexoj dhe patjetër të dëgjoj nga ekspertët. Kurse zotëria e pret ekspertizën me gojën hapur dhe kokën lart, i futet ekspertiza në gojë nga lart, e rrotullon nëpër gojë gjerë e gjatë dhe vjen e pështyn këtu.
Se flet zotëria se kush jam unë e kush është zotëria për fjalët që kemi thënë. Mos gaboj është zotëria që tha po erdhi Saliu me flamur në godinë, unë iki nga politika. Iku nga godina bashkë me flamurin me kokën lart e për të parë Saliun! Kështu që është problem i madh dhe problemin më të madh këtu e ka ai në kat të 8-të që nuk ngeli balerin pa i shkuar te parvazi dhe pa i thënë ma lër mua ta tund belin për ty.
Një fjalë serioze për krimin e organizuar. Ai që u the këtyre, kam kallëzuar në SPAK Olsi Ramën, kishe dorëzuar informacion. Mirë bëre se do përfundoje si Babale Salibali që shtyn gjyqin me raporte. Unë duroj shumë, do duroj deri kur SPAK të nxjerrë të vërtetën dhe pastaj do kemi një ballafaqim bashkë, jo unë me ty kështu, se ti je me kokën lart e gojën hapur dhe unë nuk ta hedh dot në gojë atë që merr ti atje lart, po do ta kemi një ballafaqim tjetër. Kokën lart, gojën hapur, ekspertizën brenda, rrotullojeni në kokë dhe hajdeni e pështyni këtu. Pështymën që do merrni nga shqiptarët vitin e ardhshëm do ta keni më keq se në ’97-ën!”