Nga Andi Bushati
Nëse opozita dështoi në premtimin e gënjeshtërt që u bëri ndjekësve të saj, se 16 marsi do të ishte dita e fundit e Edi Ramës, ajo është në rrugë të mbarë për të shpërfaqur fytyrën e vërtetë të rregjimit të Tiranës.
Si kurrë ndonjëherë në këto gjashtë vite të pushtetit të rilindjes, në rrugët e kryeqytetit nuk ishte parë kaq mbipopullim me trupa sigurie dhe kamera spiune, nuk kishin marshuar kaq makina të blinduara dhe nuk ishte përdorur, ajo sasi e paimagjinueshme bershërie me ujë dhe gaz lotësjellës.
Po të bësh një krahasim imazhesh me 16 shkurtin e një muaji më parë, uniformat blu nuk qenë më ato që i hapnin rrugën protestuesve të inatosur për të kapërcyer shkallët e kryeministrisë, por ato kishin marë urdhrin e prerë, për të mos u tërhequr asnjë centim nga mbrojtja e pushtetit.
Në fakt, ndryshimi nuk është vetëm në imazh.
Në këto 30 ditë, që nga protesta që i parapriu vendimit të djegjes së mandateve, imazhi i një vendi normal demokratik është krisur ndjeshëm.
Parlamenti pothuajse mblidhet në mënyrë ilegale, pa shpallur as ditën dhe as orën e seancave plenare. Kryeministri është rikthyer të bëjë rolin e shefit të partisë shtet, që në vend të punëve të përditshme, detyrohet të luajë kllounin endacak të grave socialiste. Opozita e re po identifikohet me fytyrat e heronjve të porsalindur, Ylli Shehu dhe Kujtim Gjuzi. Televizionet kombëtare kanë degraduar në ditët më të zeza të propagandës, ndërkohë që shqiptarëve po u shafqet si gogol rreziku i armikut të jashtëm, që herë mer formën e ariut rus dhe herë vesh robën e mullahëve iranianë.
Dilema që shtrohet është: A do të qe i mundur ky degradim kaq i shpejtë, ky precipitim maramendës, nëse opozita nuk do të kishte vënë bast për rrugën radikale?
Natyrisht, që kjo pyetje retorike, është e vlefshme edhe për këtë 16 mars.
Sepse nuk ka rrugë tjetër veçse mbajtjes nën presion të këtij rregjimi që ka promovuar kriminelët në parlament, oligarkët në ekonomi, ndërtuesit me paratë e drogës në Tiranë dhe banditët që vjedhin vota në Durrës apo në Dibër.
Kjo ndodhi edhe këtë të shtunë.
Në rrugët e Tiranës, ne mediat vendase dhe ndërkombëtare, mbetën të skalituara pamjet e tymnajës së një pushteti, që fshihet pas gazit lotësjellës. Tani jemi larg, shumë larg imazhit të liderit shpresëdhënës, që shkulte gradhin e kryeministrisë, që hapte hollin e saj për qytetarët, që i dekoronte oborrin me punime të artistëve bashkëkohorë.
Tani, për të qeverisur, Edi Rama ka nevojë për trupat speciale dhe për rendjen e autoblindëve nëpër bulevard. Kjo është ajo që i shkon për shtat pushtetit të tij.
Dhe në një muaj opozita e arriti këtë.
Ajo i veshi kryeministrit me forcë, kostumin real të autokratit, pavarësisht se nuk i’a doli t’a rrëzontë këtë 16 mars, ashtu siç i premtoi idhtarëve të saj.