Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projekt-buxhetit të vitit 2018 ditën e sotme në parlament ka zbuluar se kush do të jetë biznesmeni i parë në Shqipëri që do të ndërtojë hotel me 5 yje.

Rama tha se jemi i vetmi vend në rajon që nuk e kemi një hotel të tillë, dhe ironizoi hotelet e ndërtuara deri më tani që sipas tij, yjet e të cilave janë të lyera me bojë nga pronarët.

Pas akuzave të Bashës se Rama kërkon investim në ndërtimin e hoteleve për pastrimin e parave të njerëzve të rij, kreu i qeverisë iu përgjigj se biznesmeni i parë në Shqipëri që do të ndërtojë hotel me 5 yje është mbështetës dhe sponsor i Partisë Demokratike.

“Jemi një vend për të cilin kanë folur të gjithë ato kryeministra patriot, është më i bukuri, më i miri, dhe është turistik dhe është me dete, me erëra që fryjnë dhe me diell që lind e perëndon më bukur se kudo. Dhe sot jemi i vetmi vend në të gjithë rajonin që s’kemi hotel me 5 yje. Ne do ndërtojmë hotele me 5 yje në Shqipëri. Dhe s’do bëjmë ndonjë shpikje, por do aplikojmë legjislacionin si vendet fqinje, si Mali i Zi, që na ka lënë targën e s’po e shohim më. Si do u bëka ky pastrim partish, jo 5 yje të lyera nga pronari , por marka të regjistruara  në top-listën e industrisë turistike, quhet Avni Ponari, hotel me 5 yje në Valbonë. Ky është biznesmeni i parë që do ndërtojë hotel me 5 yje është mbështetës i PD. Unë nuk i ndaj njerëzit në të juajët dhe tanët”, tha Rama.