Kryeministri Edi Rama ka publikuar grafikun mbi ecurinë e koronavirusit në Shqipëri, ku 10 ditët e fundit kurba ka pësuar një rënie, për të cilën kreu i qeverisë thekson se është rezultat i masave të marra dhe zbatimit të tyre nga qytetarët.

“Shumë e rëndësishme: falë masave të shpejta e të forta dhe rezistencës suaj të shkëlqyer, 10 ditët e fundit kemi rënie graduale të shtrimeve në mjediset spitalore COVID. *Ky tregues që e has shumë pak, për të mos thënë fare në vendet e tjera nën agresion, ku mbingarkesa e spitaleve po vjen si haraç për vonesat në marrjen e masave, na thotë qartë se e para, po bëjmë gjënë e duhur, e dyta duhet të vazhdojmë kështu me durim sepse armikun e kemi pas çdo porte, e treta po vazhduam kështu, do dalim më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë dhe me kokën lart përpara brezave që vijnë nga kjo sfidë historike”, shkruan Rama.