Kryesia e OSBE-së vazhdon të ndjekë me vëmendje situatën në Bjellorusi, teksa në këtë vend vazhdojnë protestat e dhunshme për shkak të manipulimit të zgjedhjeve nga Presidenti Aleksandër Lukashenko, i cili fitoi një mandat të gjashtë në zgjedhjet më shumë se një jave më parë.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) njoftonte sot në një deklaratë për shtyp se është e shqetësuar për situatën pas protestave në Bjellorusi dhe ka kërkuar të jetë prezent në vend me kreun e saj në detyrë, kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“OSBE përsërit shqetësimin e saj për zgjedhjet presidenciale të kryera më 9 gusht 2020, të cilat nuk u lejuan të monitoroheshin nga Zyra e Institucioneve Demokratike dhe e Të Drejtave të Njeriut, si dhe për forcën jashtë raportit që është përdorur ndaj protestuesve nga autoritetet. Prandaj ka dorëzuar kërkesën zyrtare për një vizitë në Bjellorusi, me përfaqësimin nga kryetari i saj në detyre, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryetarja e radhës, ministrja e jashtme suedeze, Ann Linde – për t’u takuar me përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës”, thuhej në deklaratë.
Kryesia e OSCE përsërit nevojën urgjente për plotësim të parimeve dhe detyrimeve ndaj saj, siç është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe respekti për sovranitetin e integritetin territorial”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkon dialog të hapur dhe konstruktiv në këtë vend, si e vetmja mundësi rrugëdalje për situatën atje. “OSBE-ja është e gatshme ta mbështesë këtë dhe të angazhohet me të gjithë aktorët e interesuar”, thuhet më tej në reagim.





