Kryeministri Edi Rama, duke folur në një takim në njësinë numër 2 në Tiranë, deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga 2 milionë në 12 milionë turistë dhe mbi 1.5 miliardë investime. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri njoftoi programe të reja mbështetëse, përfshirë kredi për punonjësit dhe sipërmarrjet e vogla, si dhe paketën e maleve për zhvillimin e agroturizmit.

“Kemi nisur me dy milionë turistë, ndërkohë që nuk i quajnë turistë shqiptarët që hyjnë e dalin. Ata numërohen si vizitorë. Kemi arritur në 12 milionë turistë dhe mbi 1.5 miliardë investime. Kemi filluar me kreditë për policët, mësuesit për të marrë shtëpi. Janë hapat e parë dhe janë hapa që tregojnë se po krijojmë mundësi. Do nisim me një program “Dyfisho sipërmarrjen tënde” me kredi për ata që kanë një biznes të vogël dhe kanë një plan të besueshëm për ta rritur. Kemi dhe paketën e maleve për ata që kanë tokë dhe shtëpi në fshat dhe që duan ta kthejnë në agroturizëm. Paketa e maleve nuk është për oligarkët, nuk ka oligarkë në vendin tonë”.