Kryeministri Rama ka dalë në konferencën e përjavshme ku ka folur për protestën e nesërme të opozitës.
Ai ka thënë se PD nuk e do reformën në drejtësi dhe duke penguar vetingun, po kërkon që të mos dalë në zgjedhje nga frika e votës kundër.
Sipas Ramës, PD-ja kërkon destabilizimin e vendit me protestën e nesërme, e cila bllokon, jo vetëm rrugën e drejtësisë, por edhe atë drejt BE-së, sipas Ramës.
“Çadra e ngritur në bulevard është mënyra më spektakolare e të menduarit mbrapsht. Ata dështuan ta bëjnë shtet. Ata që dështuan ta demokratizojnë këtë vend, janë ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë nuk e kanë problem që të destabilizojnë vendin. Duan tym se e dinë që çadra nuk i mbron.
Flasin për bllokim rrugësh, se nuk duan që rruga e Europës të hapet. Ata përbuzin drejtësinë. Prandaj flasin për republikën e re, se nuk duan drejtësinë e re. Ata e dinë se populli nuk mund t’i votojë ata që pengojnë vetingun.
Nuk duan as të dalin para gjykimit të votës se nuk duan vetingun”, tha Rama. Ai madje paralajmëroi se kush ngre dorë mbi policinë nuk do t’ia arrije kurrë qëllimit për të destabilizuar vendin.





