Në prag të hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, Edi Rama ka bërë publik parashikimin e tij për rezultatin e Partisë Socialiste, duke thënë se pret të fitojë 77 mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndoshta edhe më shumë.
Nga Vlora, qyteti ku katër vite më parë firmosi të ashtuquajturin Memorandumi i Kuçit, Rama tha se do të shkruajë sërish rezultatin që parashikon në të njëjtin vend, një ritual simbolik që duket se e ka kthyer në traditë.
“Do fitojmë 77 deputetë. Nuk e dimë, mund të jenë edhe më shumë, kijeni parasysh. Do ta shkruaj në Kuç, atje te ai lokali ku herën e kaluar kam lënë rezultatin,” – tha Rama.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Partia Socialiste arriti të siguronte 74 mandate, katër më pak se parashikimi i tij i atëhershëm prej 78 mandatesh.
Hapja zyrtare e fushatës së Partisë Socialiste është planifikuar për të shtunën, në një miting politiko-festiv në Sheshin “Skënderbej” në orën 12:00, ku pritet pjesëmarrja nga të gjitha qarqet e vendit.
Ndërkohë, një ditë më parë, të premten, Rama ka paralajmëruar një cikël takimesh në të gjitha qarqet me fokus tek gratë dhe vajzat socialiste, të cilat i ka cilësuar si “fuqia kryesore” e PS-së në këtë fushatë.