Parku Natyror “Liqeni i Ulëzës”, një nga peizazhet më të veçanta dhe të bukura të Dibrës, tërheq çdo vit vizitorë të shumtë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky park natyror, ku ekosistemi ujor, pyjet dhe ajri i pastër krijojnë një harmoni të rrallë natyrore, duke e kthyer zonën në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për vizitorët.
“Përmes platformës www.albaniantrails.al vizitorët mund të zgjedhin të përshkojnë edhe shtigjet e bukura që ofron kjo trevë, nën kujdesin e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Dibër”, u shpreh Rama.
Rajoni përfaqëson një ekosistem kompleks ujor dhe malor, që përfshin liqenin e Ulëzës, atë të Shkopetit, malet dhe kodrat përreth.
Prania e dy liqeneve ka bërë që aty të krijohen habitate ujore krejtësisht të veçanta dhe me rëndësi të madhe për biodiversitetin në vend.
Me sipërfaqe prej rreth 4206 ha parku ndodhet vetëm 5 km larg nga rruga Milot-Mat.





