Kryeministri Edi Rama pak pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme plenare, ku u votuan dy komisionet Ad-hoc për vettingun, akuzoi rëndë opozitën për sjelljen e saj. Sipas Ramës, PD fatkeqësisht është gati të ndajë Shqipërinë edhe njëherë për së gjalli nga Europa.
“Refuzimi i vazhdueshëm për të mos u bërë pjesë e një procesi historik që kërkon një aspiratë çerek shekullore të këtij populli për të çliruar Shqipërinë nga kthetrat e gjyqtarëve të korruptuar, është një njollë e zezë turpi që partia që lindi nga thirrja: E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Ajo po përpiqet që me apo pavetëdije t’ja verë fajin Shqipërisë.” -tha Rama.
Po ashtu, ai nënvizoi faktin se moskryerja e Vettingut, cënon rëndë procesin e anëtarësimit në BE.
“Një gjë shumë e qartë, që e kanë thënë dhe ndërkombëtarët, që moskryerja e Vettingun cënon rëndë procesin e anëtarësimit në BE dhe vonon këtë proces. Fatkeqësisht PD është gati të na ndajë dhe njëherë për së gjalli nga Europa që duam të gjithë të bëhemi pjesë vetëm e e vetëm për t’ju shmangur drejtësisë të gjithë atyre që kanë kusure për të lartë në një shtet të së drejtës”, pohoi ai.





