Në platformën “shqiperiaqeduam.al” janë trajtuar rastet e pensionistëve të cilët kanë kërkuar rillogaritje të pensioneve.

Në eventin e përjavshëm të bashkëqeverisjes që zhvillohet në Kryeministri, u sollën shembuj të rasteve të pensionistëve të cilëve u është rritur pensioni pas ankesave që kanë bërë në platformën “shqiperiaqeduam.al”.

Kryeministri Edi Rama u ka bërë apel të gjithë pensionistëve, të cilët nuk marrin shërbimin e duhur në zyrat e shtetit, të dërgojnë ankesën e tyre në platformë.

“Fatkeqësisht, në një numër të caktuar zyrash në territor, pënsionistët nuk e marrin përgjigjen dhe përkushtimin që meritojnë. Thirrja ime për të gjithë pensionistët që kanë probleme me përllogaritjen e pensionit, mos humbni kohë të shkoni në zyra, por direkt tek “shqiperiaqeduam.al”, është platforma që ka zgjidhur çdo raste problematike të pensionistëve me nevojën për të rillogaritur pensionin e tyre”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se në rastet kur pensioni rritet si pasojë e rillogaritjes, do të përfitohen edhe të gjitha tepricat e mbetura përgjatë viteve.