TIRANË – Diskutimi i programit për një Rilindje Shqiptare ka vijuar sot paradite me atë që kryetari i PS, Edi Rama, e ka konsideruar si kategoria më e vuajtur e popullsisë, me pensionistët. Në një mjedis në afërsi të parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, kryesocialisti Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me një grup pensionistësh. Kwta tw fundit i kanë paraqitur Ramws gjendjen e rënduar ekonomike në të cilën ndodhen, për shkak të pensioneve të ulëta dhe kostos së jetesës që rritet përditë.

Kreu i PS, Edi Rama, që në hyrje të fjalës së tij ka shprehur shqetësimin për gjendjen e pensioneve, rritja e të cilave që prej vitit 2008 është tre herë më e ulët se sa rritja e çmimeve të shportës. Por, nuk është vetëm kjo që e bën dramatike gjendjen e pensionistëve.

“Në çdo aspirinë, në çdo tabletë për tensionin apo për zemrën, pensionisti paguan një taksë 10%. Ne do ta heqim këtë taksë. Do ta bëjmë zero TVSH-në e ilaçeve, sepse kështu ka qenë më parë dhe sepse vendosja e TVSH-së mbi ilaçet ka rënduar vetëm njerëzit e zakonshëm”,- është shprehur Rama, duke bërë të ditur kështu një nga masat e rëndësishme, që do të marrë PS sapo të vijë në pushtet.

Për kryesocialistin skema aktuale e pensioneve po shkon drejt falimentimit, sepse vetëm 1 shqiptar ndër 3 që janë në moshë pune kontribuon për skemën e pensioneve.