Gjatë intervistës për emisionin “Opinion” si një reflektim për 35 vite demokraci, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për pasojat që la komunizmi.

Pjesa më e madhe e drejtuesve politikë të vendit, por edhe biznesmenëve dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë janë të edukuar në vitet ’70-’80. Por a ka lënë kjo një dëm në formimin e klasës drejtuese të vendit?

Sipas Ramës, dëmi më i madh ka ardhur nga fakti që nuk është lejuar që kundërshtari të shprehë mendimin e tij ndryshe, por përkundrazi është degjeneruar publikisht.

“Dëmi më i madh që kam konstatuar nga ajo kohë ka qenë që duke vrarë dhe duke mos lejuar që të ngjallet për asnjë sekondë ideja e tjetrit, jo e kundërshtarit, por e tjetrit që ka një mënyrë ndryshe të të menduari dhe pikërisht pse e ka duhet zhdukur, asgjësuar, ka bërë që të kemi trashëgiminë më të errët nga pikëpamja e marrëdhënieve mes njërit dhe tjetrit nga pikëpamja politike, sociale ku tjetri vazhdoi të konsiderohet armik me ndryshimin që në vend të pushkatimeve, burgimeve ishte degjenerimi, balta, sulmet, akuzat, degjenerimi publik i tjetrit”, tha Rama.

Pa përmendur emra, por duke nënkuptuar Sali Berishën, drejtuesin e Partisë Demokratike, Rama e konsideron si një fatkeqësi sepse ktheu në metodë “teknikat e degjenerimit” dhe “luftën me çdo lloj kundërshtari”.

“Kjo është e thellë, por lidhet me fatkeqësinë e madhe që një komunist ultrafanatik u kthye në një konservator ultrafanatik dhe gjuhën e urrejtjes, teknikat e degjenerimit të tjetrit, luftën me çdo lloj kundërshtie brenda vathës së vet dhe me çdo lloj kundërshtari e ktheu në metodë. Mund të thuash çfarë të duash për të tjerë se Fatos Nano vinte nga e njëjta parti, por Nanon nuk mund ta fusësh kurrë në këtë kategori që ishte sistematik se pati edhe ai momentin e vet kur e ktheu degjenerimin publik të tjetrit në metodë për pushtetin brenda partisë, por nuk mund të thuash për të tjerë, që kanë pasur mundësinë të ushtrojnë pushtet, nuk e kanë pasur kurrë. I vetmi njeri konseguent që e ka mishëruar këtë rrezatimin negativ që thashë të Çernobilit komunist ka qenë ai që tani s’po ja them emrin për respekt të vetes. Linçimet në parti kanë nisur dhe kanë vazhduar në mënyrë konseguente me ato metoda të degjenerimit të kundërshtarit. Gjithë ajo dhunë që e karakterizonte atë regjim në mentalitet dhe e rrënjosur në të gjitha nivelet që kush të shfaqet ty përballë dhe nuk është si ti duhet degjeneruar u transpozua në këtë fazë nga ai atje”, tha Rama./ Tv Klan