Një ditë pas protestës së opozitës, kryeministri Edi Rama teksa komentoi situatën politike në vend gjatë një takimi me gazetarët, u ndal edhe të përgjimet në dosjen 339, ku është i implikuar edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.

Rama u shpreh që për të ngritur akuza dhe për ta dërguar tjetrin para gjykatës, duhen prova dhe jo vetëm kaseta. Çdo përgjim nuk përbën asnjë provë sipas Ramës, edhe sikur të jetë vetë personi që i thotë të gjitha ato që dëgjohen dhe që mund të jenë kriminale.

Kryeministri shtoi ndër të tjera se Vangjush Dako ka fituar edhe në vitet kur Partia Demokratike ishte në pushtet, apo edhe më e fortë sesa ajo që është sot, e drejtuar nga Basha.

“Çdo përgjim nuk përbën asnjë provë edhe sikur të jetë vetë personi që i thotë të gjitha ato që dëgjohen dhe që mund të jenë kriminale. Nuk është provë. Nuk e merr ta çosh dot në gjykatë tjetrin me kaseta. Duhet hetimi për t’i provuar.

Në Dibër u vendos në përgjim partia politike, si grup i strukturuar kriminal dhe nuk ka asgjë deri tani si përgjim të na thotë se ka një përfshirje, të gjithë atyre që janë bërë copë në media, fjalime. Nuk ka asgjë. Ju po t'i kishit do i kishit nxjerrë dhe kjo është një çështje hetimore dhe nuk zgjidhet në rrugë me molotov.

Në Durrës, kryetari i bashkisë përmendet në një fjali mes dy kriminelëve. Dhe nuk ka asnjë bisedë që së largu të flitet për blerje apo shitje votash. 

Vangjush Dako fitoi në 2007-n. Kush ishte në pushtet? Fitoi në 2011-n, kush ishte në pushtet?

Mos e harroni eksperiencën e gjithë kazanit të përgjimeve që sollën kërkesën për burg të Saimir Tahirit brenda 24 orëve. Prokuroria e antimafias në Itali nuk është shaka. Që do të thotë nuk bien njerëzit në kryq me muhabete, propagandë pse i doli emri aty apo aty”, u shpreh Rama.