Kryeministri Edi Rama shprehet optimist për hapjen e negociatave me BE. Në një intervistë për gazetën gjermane "Die Welt", Rama thotë se Shqipëria ka bërë reforma që vendet që janë në proces negocimi nuk i kanë bërë ende.
"Tani, edhe holandezët, të cilët janë skeptikë, kanë thënë që kemi bërë hapa të mëdhenj përpara. Holanda, së bashku me Gjermaninë dhe Austrinë, kanë dhënë një ndihmë të madhe për ne. Të tre këto vende janë pjesë e një koalicioni ndërkombëtar që po na asiston në refomën në drejtësi. Ne kemi bërë diçka të cilën asnjë vend tjetër nuk e ka realizuar më parë. Ne kemi ndryshuar Kushtetutën, por jo vetëm kjo; ne kemi kaluar të gjithë gjykatësit dhe prokurorët në sitën e një procesi shumë të vështirë vetingu dhe po pastrojmë sistemin në një mënyrë që asnjë vend tjetër negociues nuk e ka bërë më parë. Kjo është bukuria dhe çudia e këtij procesi, sepse ndërsa duhet ende të hapim negociatat, kemi realizuar gjëra që vendet negociuese duhet ende t’i realizojnë", thotë Rama.
Ai shprehet se procesi i integrimit ka qenë asimetrik, pasi për vendet që u anëtarësuan më parë ka pasur më pak kërkesa.
"Duhet të saktësoj se ne nuk pretendojmë të anëtarësohemi në BE që tani, ne thjesht duam hapjen e negociatave. Koha për t’u anëtarësuar do të vijë më vonë".
Kreu i qeverisë shpjegon edhe dëshirën e shqiptarëve për të hyrë në BE.
"Nuk jam në pozitë për t’u thënë atyre asgjë. Ata janë në pozitën ku duhet të mendojnë se çfarë dëshirojnë. Ata janë më të fortë, e nuk kanë përjetuar luftë në jetën e tyre. Kështu që për ta, nuk është e thjeshtë të kuptojnë arsyet se përse ne jemi të dhënë me kaq pasion pas Bashkimit Europian. Jam i sigurtë që nëse baballarët themeluese të BE-së do të ishin ende këtu, ata do të kuptonin përfitimet shumë më mirë. Për ne, BE është ajo që ishte edhe për ta, një projekt paqeje dhe një vend ku mund të gjesh një hapësirë të përcaktuar, të pakërcënuar nga konfliktet e të shkuarës. Për europianët e sotëm, lufta është një lloj sajese televizive bardh e zi. Nga ana tjetër, pa dyshim, Bashkimi Europian ka problemet e tij. Është një kohë vërtet kohë vërtet komplekse dhe nuk është e lehtë të bësh parashikime".





