Mediat e huaja vijojnë të cilësojnë vendin tonë si një ndër destinacionet turistike që duhet vizituar për këtë vit.

Teksa i referohet një shkrimi të fundit të gazetës së njohur britanike ‘The Mirror’, që u bën jehonë thesareve turistike të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama bën të ditur se për herë të parë vendi ynë është vendosur në raportin e ABTA, shoqata britanike e turoperatorëve dhe udhëtimeve, si një nga 10 vendet që duhen vizituar këtë vit.

“Edhe gazeta e njohur britanike “The Mirror” u bën jehonë thesareve turistike të Shqipërisë duke nisur nga muzetë e kryeqytetit, amfiteatrit romak të Durrësit, për të zbritur në plazhet e rivierës, pasuritë arkitekturore të Gjirokastrës e për të zbuluar më në brendësi të vendit liqenin e Bovillës apo Parkun e Alpeve. Për herë të parë Shqipëria është vendosur në raportin e ABTA – shoqata britanike e turoperatorëve dhe udhëtimeve – si një nga 10 vendet që duhen vizituar këtë vit”- shkruan Rama.