Teksa PS është në një proces riorganizimi, a ka menduar kryetari i socialistëve Edi Rama, njëkohësisht kryeministër, për të vendosur filtra në mënyrë që kandidatët për bashkinë të mos i kapë ligji i dekriminalizimit?
Rama iu përgjigj interesit të gazetarëve kështu:
"E kam thënë dhe e rithem të gjitha virgjëreshat që thonë të kundërtën u ngjajnë përgjegjëseve të shtëpive të qejfit që predikojnë moral. Është një çështje që mund të zgjidhet vetëm përmes fuqizimit të ligjit në raport me individin duke e kthyer vetëdeklarimin e rremë në një vepër që dënohet ashpër.
Nga ana tjetër duke i çliruar partitë nga kjo barrë për të lexuar mendjen e individëve që në mënyrë të papërgjegjshme i shmangen së vërtetës kur vetëdeklarohen përmes një ndërhyrjeje në ligj që do t'u japë mundësi institucioneve ligjzbatuese të bëjnë verifikime pasi partitë të çojnë listat e kandidatëve për t'u zgjedhur në një kohë më përpara se fillimi i fushatës. Në një mënyrë që kur të nisë fushata të gjitha listat të jenë të verifikuara.
Partitë nuk kanë kapacitete për të bërë punën e policisë apo prokurorisë, por nga ana tjetër policia e prokuroria duhet të futen në proces më parë. Kush predikon moral është shëmbëlltyrë njësoj si ato përgjegjëset e shtëpive të qejfit që predikonin virgjërinë e vashave që ofrojnë brenda shërbimin", tha Rama.
Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku, dy socialistët e zgjedhur si kryetarë bashkie, njëri i Shkodrës, tjetri i Vorës, në zgjedhjet e 30 qershorit u shkarkuan pasi kanë fshehur të kaluarën, ndërkohë nën akuzë është dhe kryebahkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani. Ndaj Agim Kajmakut është prerë dhe urdhërarrest.





