Televizioni ARD i ka kushtuar një reportazh ekspozitës së kryeministrit Edi Rama në Gjermani me punimet e tij personale, si piktura murale dhe skulptura në qeramikë në qytetin e Rostockut.
Kryeministri në këtë reportazh nuk e ka shmangur vetëvlerësimin, duke u shprehur se ai është Kryeministri më i mirë.
Rama: Buxheti që mu dha ishte asgjë. Ishte asgjë. Diçka. Shumë pak. Por duhej bërë ndryshimi. Filloi rritja e mbledhjes së taksave dhe ndryshimi i niveleve. Tani jam Kryeministri më i mirë i të gjitha kohërave, në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama në kronikën televizive 5 minutëshe nuk flet vetëm për karrierën e tij politike dhe artistike, por ka bërë publike dhe jetën e tij personale, duke shfaqur imazhe të djalit të tij Zaho dhe bashkëshortes Linda.
Rama ja njeh meritën vetes jo vetëm si një menaxhues i mirë i shtetit, por dhe si një piktor dhe artist me famë ndër kryeministrat.
Rama: Unë jam artisti më i mirë në rrethin e kryeministrave dhe Kryeministri më i mirë në rrethin e artistëve.
Për median gjermane, Kryeministri tregoi se ku krijon punët më të mëdha artistike. Ekspozita është hapur më 17 nëntor dhe do të qëndrojë e hapur deri më 6 janar.





