Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Shqipëria mori sot lajmin e mirë se Këshilli i Ministrave të BE-së, vendosi që të çelë negociatat me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.
Rama u shpreh në rrjete sociale se Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë, duke përmendur këtu reformat që po ndërmerren apo edhe përballimin me situatën ndaj koronavirusit.
“Po njësoj do vazhdojmë e do bëjmë detyrat e kësaj shtëpie, jo se na e kërkojnë ata që sot na thanë më në fund po, por se na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi ndaj fëmijëve tanë. PO-ja në bllok nga 27 vende anëtare. Dera e dhomës së pritjes së BE-së u hap më në fund në një kohë të mallkuar kur dyert tona janë mbyllur. S’do ndalemi në plotësimin e cdo detyre deri sa të hyjmë në dhomën e madhe të ndenjes së BE, ku më në fund eshtrat e rilindasve do prehen të qeta në varrezat e dëshmorëve të Evropës, ku do valëvitet i barabartë mes të barabartëve edhe flamuri kuqezi i Gjergj Kastriotit. Deri atë herë puna për tu bërë është ende e madhe. Nuk do bënim festë edhe sikur kjo kohë e shumëpritur të na gjente në kohë paqe. Sot ka vetëm një festë në mendjen time, e clirimit nga ky armik i padukshëm që na ka sulmuar egërsisht. Sot jetoj cdo ditë për atë ditë. Ditën e clirimit ku t’ja kemi dalë ti mbijetojmë kësaj lufte.”





