Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikëve lidhur me masat e marra për të ndihmuar qytetarët që u përfshinë nga përmbytjet në zonën e ish-Kënetës në Durrës.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan se kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka qenë në krye të detyrës së bashku me punonjësit për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga përmbytjet.
Rama i cilëson nxitje urrejtjeje lajme të cilat sipas tij, dezinformojnë për situatën e krijuar në Durrës.
“Mjerë kush hyn në këto kanale, lexon, e kujton se informohet, po veç helmohet me gënjeshtra të trasha, jashtënxjerrje e neveritshme e helmit që verbon e nxit urrejtjen… Kryetarja e bashkisë së Durrësit në krye të detyrës, pranë njerëzve me tërë punonjësit, ndërsa këta të paudhë:”, shkruan Rama.
Pas publikimit të këtij statusi, Rama ka mbërritur në bashkinë e Durrësit ku u prit nga kryetarja Emiriana Sako.