9 mars 2015 – Kryeministri Edi Rama pritet të përballet ditën e sotme në gjykatë me dy deputetët e opozitës, Edi Palokën dhe Arben Ristanin, në lidhje me akuzat e pabaza ndaj qeverisë, të cilat sipas Ramës keqinformojnë publikun dhe e konsideron shpifjen një çështje mjaft të rëndë dhe që duhet të ndalet njëherë e mirë.
Lideri i qeverisë paditi Palokën për shfije dhe kërkoi ballafaqimin e tij me drejtësinë, ndërsa kreu i Grupit Parlamentar i PD-së artikuloi akuza publike ndaj kryeministrit, si një person të lidhur me krimin dhe bandat kriminale.
Kryeministri Edi Rama do të rikthehet sot në Gjykatën e Lartë për të ndjekur dy seanca ku shqyrtohet padia e tij ngritur ndaj demokratëve për shpifje. Në orën 10:00 kreu i qeverisë pritet të marrë pjesë në çeljen e gjyqit ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, të cilin e akuzon për shpifje pas akuzave që demokrati hodhi për përfshirjen e qeverisë në botën e krimit.
Ashtu siç ndodhi edhe një javë më parë, seanca e parë do të jetë ajo e pajtimit, por Rama nuk pritet të pranojë të bëjë paqe me Ristanin, njësoj si në rastin e Edi Palokës. Ai pritet të kërkojë vazhdimin e proçesit gjyqësor, përmes të cilit u kërkon deputetëve opozitarë që të vërtetojnë akuzat e tyre se Kryeministri ka lidhje me krimin.
Pas kësaj seance, Rama do të jetë i pranishëm në gjyqin me Palokën që nisi një javë më parë me të njëjtën akuzë.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





