Partia Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili deklaroi pak më herët se PS do ta mbajë të shtrirë dorën për bashkëpunim me opozitën.
Në një reagim për mediat, PD akuzon kryeministrin si autor të masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve.
“Edi Rama është autori i masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Me qëllim që të largojë vëmendjen ai vazhdon gënjeshtrat, manipulimet dhe diversionet. Vjedhja e zgjedhjeve nga Rama-Doshi-Rakipi e çuan vendin tonë drejt një masakre masive elektorale, ku viktimat janë qytetarët shqiptarë dhe e ardhmja e tyre. Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Asnjë diversion nuk do të na ndalë në këtë betejë, duke filluar me shpalosjen e fakteve, provave dhe të dhënave që dëshmojnë pëmasën e plotë të masakrës zgjedhore nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi.”





