Pas lajmit se do të përgatitet një draft për rritjen e pagës minimale në 950 euro, kryeministri Edi Rama ka takuar përfaqësues të biznesit për të diskutuar mbi rritjen e pagës minimale për punonjësit.
Rama bëri me dije se nuk do iu japin leje kompanive të ndërtimeve nëse japin paga minimale për punonjësit.
Sipas kryeministrit, ky është shfrytëzim i punonjësve dhe pikërisht për këtë aryse po hartojnë draftin për të ndaluar lejet e ndërtimit për ata që japin paga minimale.
“Kanë në total një numër të punësuarish, 53 277, flasim për pata të deklaruara. Janë pothuajse 8% e totalit të punësuarve në të gjithë vendit. Metri ka qenë 300 dollarë, edhe paga s’kishte si të ishte 300 dollarë apo 400 dollarë, por ishte më pak. Pyetja është kur sot metri katror në Tiranë, e ka kaluar 1 mijë euro, si mundemi ne të kemi një pagë minimale në kompanitë e ndërtimit për 32% të totalit të të punësuarve. 32% e 53 mijë njerëzve marrin pagë minimale. Si mund të pranohet kjo. Ky nuk është më një shpërblim i një krahu pune që bën të mundura fitimet më të madha dhe sistematike për kompanitë shqiptare, ky është shfrytëzim i punonjësve deri në limitet e mbijetesës dhe ne këtë s’kemi për ta toleruar më. Në këtë 32% ka një gënjeshtër të madhe, një pjesë pagat që deklarohen, një pjesë tjetër paguhet në të zezë. Që do të thotë përfitime që janë përtej normales, shkojnë deri te pika e fundit e gjakut dhe djersës nga ana e kapitalistëve tanë”, tha Rama.