Nga Andi Bushati
Sot, në parlamentin e rimbledhur, ka ndodhur një nga skenat më absurde që mund të imagjinohet. Në atë sallë ku Edi Rama mbajti një fjalim plot nerv, me sharje dhe fyreje për “delenxhinj” e “dokraxhinj”, deputetët iu përgjigjën të bashkuar si dele duke votuar me shumicë të cilësuar, “opozitë” dhe pozitë së toku, ndryshimet e Kodit Penal, në situatën e gjendjes së jashtëzakonshme.
Me siguri që kushdo që e ka ndjekur senacën e sotme, e cila nuk kishte ndryshim nga parlamenti kinez i kohës kur koronavirusi kaloi nga Huani, ka pyetur i çuditur veten: Po kur i ka të gjithë në rresht, pse bërtet kryeministri? Me kë zihet kur nuk ka armik? Kujt i çirret, kur deputetët ngrejnë mekanikisht dorën për çfarëdo që i sjell të shkruar qeveria?
(Fjalimi i ashper sot me deputetet megjithese te gjithe i votuan me 2/3 ato qe kerkonte)
E njejta logjikë që u përdor ndaj deputetëve, u vu re, një ditë më parë, edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Sipas të gjithë dëshmitarëve që telekomunikonin në këtë bisedë të drejtuar nga presidenti Meta, bashkëbisedimi ku merrte pjesë edhe shefi i opozitës është zhvilluar me ndjenjë bashkëpunimi dhe tone kortezie.
Por, sapo doli prej saj, Edi Rama e përmbysi kupën. Në një postim në Twitter ai shkroi se do të kishte dashur që edhe debati publik të ishte kështu. Aludimi ishte i qartë. Pra, që kundërshtarët e tij thonë broçkulla kur janë në publik dhe flasin ndryshe kur janë sy në sy përballë tij. Pra se shume prej kritikave dhe akuzave që ata ngrejnë janë thjeshtë të pavërteta që i thuhen popullit.
Do duhej të kishe vetpërmbajtjen e hekurt të Ilir Metës, apo qetësinë e përgjumur të Lulzim Bashës, që të mos i përgjigjeshe këtij provokimi të bërë enkas për të ngjallur polemikë edhe pas një konsensusi të shkurtër.
Falë tyre edhe në këtë rast ashtu si edhe sot në parlament gjuha e Ramës nuk prodhoi pasoja.
Por ama nga kjo mund të dilet në një konluzion.
Të dyja këto episode, dëshmojnë për një gjë: se sado të blerë, të shitur, konsensualë apo të gatshëm për bashkëpunim ti ketë ata që i gjenden përballë, Edi Rama nuk rri dot pa shpikur konfilkt. Djalli, e keqja, armiku, me të cilin duhet të luftojë, është pjesë e pandashme e mënyrës se si ai bën politikë.
Që kur ka filluar kjo pandemi ai ka bërë të njëjtën gjë edhe me mediat, të cilat nuk lë rast pa i ofenduar, madje duke mbërritur kulmin në një mesazh zanor të shpërndarë përmes kompanive celulare ku i bëri thirrje publikut të mos i dëgjonte ato.
Po njësoj është sjellë edhe me opozitën jo parlamentare të cilën nuk lë fjalim sanitaro mjeksor pa e përmendur.
Por, deri këtu nuk ka ndonjë lajm të ri. Edi Rama ashtu si të gjithë liderët populisto autokratë, që nga Erdogani e deri tek Orbani nuk ekziston dot pa një armik qoftë real apo qoftë të shpikur. Kjo është mënyra se si ai ka vendosur të mbijetojë në politikë dhe që i kanë këshilluar spin doctors-at e vet.
Investigimi/ Çifutët që e stërvitën Ramën të ndeshej me “djallin”
Problemi është se në këtë kohë pandemie, ku frika nga virusi dhe stresi nga izolimi, që i kanë bërë njerëzit tejet më sensibël, kanë detyruar shumë zëra publikë të drejtohehen me thirrje për një armëpushim të politikës për politikë. Ky apel i përkrahur gjerësisht nga qytetarët e lodhur dhe shpresë shkatërruar, bën shpesh që të shihen me sy të keq, opozitarët që kritikojnë qeverinë, gazetarët që ngrejnë pikpyetje, shkenctarët dhe specialistët që s’bien dakord me strategjinë e ndjekur nga autoritetet e shëndetit publik.
Ata shpesh anatemohen sipas mendësisë se duhet heshtur deri sa të mbarojë kjo flamë, se duhet ndërprerë çdo polemikë deri sa të shpëtojmë nga ky ankth nervshkëtërrues, se i duam apo si duam, i duhet besuar autoriteteve deri në fitimin e kësaj beteje.
Ata pra, shpesh rrezikojnë të shihen ashtu si i etiketoi Rama sot në parlament, si bashkëluftëtarë të koronavirusit.
Por, në fakt, e vërteta është ndryshe. Dy rastet e përmenduara në fillim të këtij shkrimi tregojnë se edhe kur këta pushojnë, bashkëpunojnë apo votojnë si qengja, është kryeministri ai që nuk gjen paqe. Eshtë ai kërkon dhe prodhon sherre me këdo dhe me çdo çmim. Eshtë ai që e shpërndan virusin e konfliktit në debatin publik.
Përndryshe nuk ka si shpjegohet skena absurde e njeriut që çirret e bërtet në parlament edhe kur të gjithë ngrejnë kartonat pro tij. /Lapsi.al