Në vijim të takimeve elektorale, Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Durrës në një takim me të rinjtë ku mbolli disa pemë si pjesë e fushatës së socialistëve për këto zgjedhje.

Kreu i qeverisë foli për projektet në Durrës dhe për të ardhmen e të rinjve. Ndër të tjera, ai bëri të ditur se qeveria është duke negociuar për të sjellë në Durrës një nga akademitë më të mira të një ekipi futbolli botëror.

“Ne do vazhdojmë të fuqizojmë edhe krahun tjetër që është ai që i takon shtetit, që ka të bëjë me infrastrukturën e shkollave, kopshteve , jemi duke negociuar një marrëveshje të re për të sjellë në Durrës një nga akademitë më elitare të futbollit të një prej skuadrave më të rëndësishme të botës. Duam ta sjellim në Durrës si një pol të ri e cila do jetë derë e hapur për talentet që do duan të provojnë veten e tyre. Paralelisht me akademinë e futbollit do të jetë edhe një shkollë e futbollit për fëmijët e cila do jetë shumë më e gjerë sepse akademia do jetë strukturë plotësisht e mbështetur tek garancia e talenteve, ndërsa shkolla e futbollit do jetë strukturë për shumë më tepër fëmijë. Dhe ky nuk është një projekt që do presim vite, po e negociojmë aktualisht. Nuk mund ta them emrin e skuadrës, deri sa ta konkludojmë do ta mbaj veten”, tha Kryeministri.

Kreu i qeverisë foli edhe për mundësitë që do të krijohen në Durrës me ndërtimin e dy porteve të reja dhe zhvillimin e qytetit.

Rritja e pagave këtu është një domosdoshmëri, ne po e bëjmë, do vazhdojmë ta bëjmë, ashtu sikundër domosdoshmëri këtu është rritja e gamës së mundësive, për një punë të denjë. Unë besoj se jemi në rrugën e duhur dhe sidomos këtu në Durrës jam i bindur me realizimin e planeve që kemi tani në zbatim dhe me ato plane që kemi në vijim. Besoj që plani i ndërtimit në Durrës të dy porteve që kanë një fuqi transformuese jo thjesht për Durrësin por për gjithë rajonin është një plan i cili duhet t’i bëjë që të shohin me optimizëm të nesërmen në qytet. Me portin e ri do hapet një horizont komplet tjetër edhe për punësimin, për shpërblimin më të mirë, edhe për shumë mundësi të tjera që kanë të bëjë me cilësinë e jetës”, tha Rama.