Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të shtunë me serinë e podkasteve të tij. Ai kishte të ftuar kësaj here Arjeta Pucën, administratoren e kompanisë TIMAK që prodhon mjete të ndryshme e po ashtu edhe ato të shërbimeve të emergjencës.

Mjetet nga kjo kompani kanë shkuar deri në Ukrainë. Po ashtu, kompania e Pucës ka bërë edhe një “berber lëvizës”, pra një makinë ku ofrohen kushtet e berberit.

Rama zbuloi se së fundmi, kompania e Pucës ka fituar një garë të Kombeve të Bashkuara në Serbi për 8 zjarrfikëse. Por ajo që ishte interesante ishte ideja për të ndërtuar një makinë të markës shqiptare. Puca i tha kryeministrit se vendi ynë mund të prodhojë një makinë shqiptare nga fillimi deri në fund.

Edi Rama: Tani vijmë tek pjesa e fundit, por jo për nga rëndësia, mbase pjesa më e rëndësishme. Unë jam një njeri që gjithë jetën, që i vogël, i kam pasur admirim njerëzit që mbartin atë magjinë e ndryshimit dhe që bëjnë diferencën, po themi, në të gjitha rrugët e jetës dhe isha gjithmonë i tërhequr nga njerëz të veçantë. Në atë kohë, Shqipëria ishte e mbyllur dhe njerëzit e veçantë mund të ishin njerëz, të cilët dhe për të cilët shoqëria thoshte “Është psikopat, nuk është mirë”, por njerëz të veçantë mund të ishin njerëz të cilët ishin të izoluar për njëmijë e një arsye. Për shembull, një nga njerëzit më të veçantë është ai që sot quhet Imzot Joani, i cili kujdeset për të gjithë grigjën e besimtarëve në Korçë. Unë e kam takuar kohë përpara. Banonim afër dhe kishim shokë të përbashkët dhe ai punonte infermier në spitalin psikiatrik dhe ishte shumë religjioz. Në atë kohë feja ishte e ndaluar dhe bisedat për fenë ishin biseda të ndaluara. Kishte një kulturë, që për atë kohë dhe mua në atë kohë më dukej një enciklopedi lëvizëse për leximet, thellësinë e leximeve për fetë, për shkrimtarët e mëdhenj të ndaluar, Dostojevski, e kështu me radhë, dhe thoshte unë punoj aty se dua t’u shërbej njerëzve që nuk ma dinë, sepse nuk e bëj për të ma ditur, e bëj për shpirtin tim. Ëndrra e tij në atë kohë që dukej diçka komplet e pamundur ishte që ai të behej prift dhe ai vinte nga një familje myslimane. Quhej Fatmir dhe koha e solli, por fati i shkruar në yjet e tij dhe i fiksuar në kokën e tij, bëri që ai të përfundonte studimet për teologji në Boston, të bëhej një dishepull i kishës së Fan Nolit, të vinte në Shqipëri, të fillonte shërbesat dhe sot është një nga figurat kryesore të kishës. Njerëz, të cilët shohin një ëndërr me sy hapur dhe nuk i ndahen derisa ta realizojnë, ose që mund edhe të rrëzohen rrugës, por që e kanë ëndrrën e tyre, kanë qenë gjithmonë ata që më kanë inspiruar mua dhe sidomos ata, të cilët nuk janë personazhe librash ose nuk janë autorë të njohur që ne i lexojmë nëpër libra ose që nuk janë figura të njohura që ne nuk i njohim, po ata që njohim dhe që fillojnë nga hiçi, që janë askushi, që me kurajë arrijnë maja në të gjitha dhe ajo që mua më ka krijuar probleme me prindërit është se unë rrija me këta njerëz dhe bëja çmos që t’i ndihmoja këta njerëz. T’i ndihmoja në çfarë sensi?! Me çfarëdo gjë, sado të vogël. Isha shumë i lumtur që të bëja gjënë më të vogël. T’u jepja një libër. Kur bëja diçka që i ndihmonte ose i sillte një buzëqeshje, unë isha shumë i lumtur. E bëra këtë hyrje të gjatë sepse unë dua të di çfarë duhet të bëj unë që ti të prodhosh Arjetën me katër rrota të markës shqiptare?

Arjeta Puca: Mendoj që duhet një studim fizibiliteti për këtë.

Kryeministri Edi Rama: Duhet ta bëj unë?!

Arjeta Puca: Do e bëj unë dhe do jua prezantoj.

Edi Rama: Domethënë ti mendon që ne mund ta prodhojmë makinën shqiptare, veturën shqiptare për djemtë e Bulqizës që ta marrin dhe me këngë e valle të vijnë në Tiranë?

Arjeta Puca: Mund ta prodhojmë. Mund të prodhojmë komplet mjetet tona, nga fillimi deri në fund.

Edi Rama: Ne si Shqipëri, por përmes teje dhe meje, ti në timon dhe unë duke shtyrë nga mbrapa mund të kemi një fabrikë, që, jo vetëm bën prodhime si sot të gjithë këtyre mjeteve që janë manufacturing, por që bën dhe prodhimet e veta ‘bio’. Nga A-ja te Zh-ja. Një “Arjetë” e kuqe që ju ofrohet çunave që deri atëherë besoj do kenë mësuar që vihet rripi i sigurisë, nuk shkelet shpejtësia, nuk pihet në timon, nuk komunikohet me celular, nuk bëhet ‘Facetime’ me shpirtin atje, ne mund ta bëjmë?!

Arjeta Puca: Po mund ta bëjmë. S’kemi arsye pse mos ta bëjmë dhe ato që e kanë bërë, nuk kanë pasur ndonjë shkencë të madhe sepse normalisht kur mendon edhe prodhimi i mjeteve është një farë bashkim motorësh, pistonash edhe e gjitha bashkë. Duhet një punim i mirë dhe pastaj mund të arrihet shumë lehtë.

Kryeministri Edi Rama: Atëherë unë jam 100% në dispozicion dhe do të ishte nder shumë i madh nëse do të më shënoje në kompaninë tënde si hamall, pa pagesë. Domethënë gjithë vajzat me radhë dhe në fund hamall, Edi Rama.

 Arjeta Puca: Ju jeni supervizori aty.

Edi Rama: Për të mbartur peshën e mbështetjes dhe për të shtyrë përpara që Arjeta, nuk e di pse e imagjinova të kuqe, po e imagjinova të kuqe si një ‘’Neë Generation of Ferrari from the Balkans’’. Shumë faleminderit. Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme!

Arjeta Puca: Shumë faleminderit gjithashtu!/