Të gjithë punonjësit e policisë do të pajisen me një kartë, që do t’iu mundësojë të blejnë ushqimet në disa supermarkete me çmime më të lira se gjithë të tjerët, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë lancimit të programit për kredi të favorshme për ushtarakët, mjekët dhe punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Punonjësit e policisë kanë vite që duhet të marrin shpërblimin, kompensimin apo mbështetjen për ushqimin.
Ata të gjithë do o marrin kartë, dhe me atë shumë që do ti derdhet të gjithëve në bankë do shkojnë të blejnë ushqimet më lirë se të tjerët.
Ministria e Brendshme ka bërë negociata me supermarketet dhe kush do shkojë me kartën e policisë do blejë çdo gjë më lirë se gjithë tjerët”.
Ndërsa u ndal te ushtarakët, Rama deklaroi se paga e tyre do të vazhdojë të rritet çdo vit derisa të arrihet një pagë mesatare e trupave të NATO-s.
“Paga për ushtarakët do të vazhdojë të rritet në mënyrë të përvitshme derisa të mbërrijmë tek mesatarja e NATO-s. Ky nuk është shpërblim i atyre që janë në kulmin e karrierës, që kanë vite në ushtri, por është çështje perspektive për të rinjtë, që duhet t’i shohin FA jo vetëm si mundësinë për t’i shërbyer atdheut për të pasur një punë që i përmbush, por edhe një perspektivë të sigurt”.