TIRANE, 16 shkurt 2013 – Përfshirja e Alfred Pezës në listën për deputetë të Qarkut të Elbasanit, ka sjellë tronditje dhe hatëmbetje. Një fakt i tillë është bërë i ditur nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në rrjetin e tij social Facebook. Rama deklaroi se deputeti i Peqinit, Skënder Hasa, nuk e priti mirë kandidimin e Pezës në Qarkun e Elbasanit, gjithashtu dhe kreu i PS së Peqinit, Bukurosh Maçi. Megjthatë sipas tij, duket se kjo hatërmbetje e Hasës dhe Maçit është lënë pas, të cilët patën refuzuar kandidaturën e Pezës, me synimin se nuk përfaqëson vullnetin e strukturave dhe të bazës, por të Ramës.

"Sot ishte një ditë me një paradite të bukur dhe një pasdite fantastike. Arsyeja pse dua ta ndaj me ju ishte takimi që bëmë në Peqin, pasi mbaruam me Konferencën Kombëtare të Shëndetësisë në Elbasan. Kur Alfred Peza u prezantua publikisht para ca ditësh, si njëri ndër pjesëtarët e skuadrës sonë kombëtare të Rilindjes, mora shumë përgëzime. Por pashë edhe mërzinë e natyrshme të momentit të parë, qoftë tek deputeti ynë i Peqinit Skënder Hasa qoftë tek kryetari i PS së rrethit Bukurosh Maçi.

S'kishin asgjë me Fredin, Peqinas edhe ai përveçse personalitet publik në Shqipëri. Por secili kishte ambicien e tij. Krejt legjitime padyshim. I pari për të qëndruar në skuadër, i dyti për t'u futur në skuadër. Bisedat mes nesh nuk shkuan vaj. Por as deputeti e as kryetari nuk e cënuan asnjë çast PS me kuturisje të pamatura publike. Prej të cilave mezi ç’presin të nxjerrin katran kundër nesh mediat antiopozitare.

Gjithçka patën për të thënë sigurisht që nuk e lanë pa thënë. Hapur. Ballë për ballë. Por në të njëjtën kohë edhe dëgjuan. Diskutuam e arsyetuam bashkërisht. Si në një familje ku jo gjithnjë jemi dakord, po ku çka na ndan është gjithnjë e papërfillshme në raport me atë që na bashkon. Dhe sot ishim të gjithë bashkë në pritjen më entuziaste që kam parë në Peqin qyshse jam në krye të PS. Para një salle të mbushur si asnjëherë me vajza e djem, gra e burra, u përjetua momenti fantastik i një shfaqjeje të fuqishme bashkimi. Skënderi dhe Bukuroshi u dhanë sot njerëzve të etur për Rilindje në atë zonë të varfër e të prapambetur, një energji të madhe pozitive. Me fjalë të thjeshta dhe me një gjest që foli sa mijëra fjalë. Faleminderit Skënder Hases e Bukurosh Maçit.

Në emër të gjithë anëtarëve e mbështetësve të kësaj partie, të cilëve shembuj si ky i sotmi u shumëfishojnë energjitë pozitive. Alfred Peza tha me të drejtë në fund që nga sot Peqini s’do përfaqësohet nga një deputet, po nga një skuadër fituese për Rilindjen që meriton.

Një duarbashkim sot vulosi fitoren e PS në Peqin. Por më shumë akoma. Ky ishte një akt luajaliteti ndaj PS që në këtë fazë të fundit përgatitjesh para ndeshjes së 23 qershorit, përcaktoi një standard etik për shprehjen e çdo ambicieje legjitime individuale brenda familjes sonë politike. Uroj që këtë shembull kuptimplotë, për të mirën e Shqipërisë e të këtij populli, në respekt të vlerave që kjo familje promovon dhe në respekt të atyre që na kanë mbështetur në këto vite të vështira por edhe të vetvetes, ta japë në javët e muajt e rëndësishëm në vazhdim çdo përfaqësues i zgjedhur i PS në çdo nivel", ka shkruar Rama.