Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën duke publikuar në Faecbooku-un e tij në lidhje me vendimin më të fundit për indeksimin e pensionit. Prej 1 tetorit mbi 767 mijë pensionistë do të përfitojnë rritjen në masën 8.6% të pensionit të tyre.

“Mirëmëngjes dhe duke ju njoftuar se prej 1 tetorit, mbi 767 mijë pensionistë të të gjitha kategorive do të përfitojnë rritjen në masën 8.6% të pensionit të tyre, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Këshilli i Ministrave miratoi dje indeksimin e pensioneve në masën 8.6%. Vendimi parashikon indeksim për të gjitha kategoritë e pensioneve, duke përfshirë pensionet e pleqërisë, të plota, të pjesshme, pensione që jepen për ndihma të posaçme shtetërore dhe pagesat e invaliditetit.

Zbatimi i këtij vendimi nis nga data 1 tetor dhe vetëm për periudhën tetor-dhjetor 2023 efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë.