Në fjalën e tij gjatë seancës parlamentare të kësaj të marte, kryeministri Edi Rama tha se që prej së shtunës, mazhoranca ka një problem me Presidentin e Republikës.

“Shumë nga ne kishim votuar për Ilir Metën President. Nuk e kishim shumicën që kemi sot, por unë e kisha bindjen e plotë se Meta ishte kandidatura më e përshtatshme për President. Për hir të së vërtetës, që kur hyri në Presidencë, pas dalldisjes fatkeqe me flamurin e LSI, ai ka respektuar Kushtetutën, ka peshuar fjalën dhe ka baraspeshuar qëndrimin. Por që prej të shtunës mbrëma, ne kemi një problem me Presidentin e Republikës, ose më saktë një problem i krijuar prej tij na ka mbledhur sot këtu. Askush tjetër, përveç popullit, as e ka dhe as e merr dot të drejtën të na pengojë në plotësimin e mandatit tonë kushtetues. Kjo vlen edhe për Presidentin e Republikës. Kushtetuta i ka të përcaktuara 12 kompetencat e Presidentit të Republikës dhe aty nuk figuron gjëkundi e drejta e refuzimit të një ministri që gëzon besimin e shumicës.”